Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Sot, në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht dy kapituj të tjerë negociues me Bashkimin Evropian, 16 dhe 22, të cilët lidhen me taksat dhe politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore.
Me këtë vendim, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht arrin në 25 nga gjithsej 33, duke e afruar vendin drejt objektivit për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të këtij viti.
Lajmin e bëri të ditur ministri irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Tomas Birn, i cili kryesoi Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel.
Ai theksoi se ky rezultat është arritur falë punës së vazhdueshme dhe reformave të realizuara nga Mali i Zi.
Ndërkohë, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, bëri të ditur se që nga fillimi i vitit Mali i Zi ka mbyllur 13 kapituj, duke u renditur i treti në Evropë për numrin e kapitujve të mbyllur brenda një viti.
Ministrja për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se këto kapituj përfaqësojnë përparim konkret që do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, veçanërisht në përmirësimin e sistemit tatimor, lehtësimin e procedurave për bizneset dhe përdorimin më efikas të fondeve të Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se Mali i Zi ka përmbushur pjesën e tij të detyrimeve dhe se tani pret që edhe Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të kontribuojnë në përfundimin e procesit.
Gjatë konferencës u diskutua edhe për çështjet dypalëshe me Kroacinë.
Kos shprehu shpresën se të dyja vendet do të arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet, ndërsa Gorçeviq deklaroi se Qeveria dëshiron që të gjitha kontestet të zgjidhen para anëtarësimit në BE.
Birn, nga ana tjetër, shprehu besimin se Mali i Zi do të arrijë të mbyllë edhe kapitujt e mbetur deri në fund të vitit, duke e inkurajuar vendin të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Zagrebin.
Në konferencën e mëparshme, të mbajtur më 6 nëntor në Bruksel, Mali i Zi kishte mbyllur përkohësisht kapitujt 1 dhe 12. Me vendimin e fundit, numri i kapitujve të mbyllur arrin në 25 nga 33 gjithsej.










