Në 24 orët e fundit në Mal të Zi janë regjistruar 483 raste të reja pozitive me Covid-19, kanë njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Gjatë kësaj kohe 5 persona e kanë humbur jetën nga mosha 64 deri në atë 87 vjeçare. Numri më i lartë i të infektuarve u regjistrua në Podgoricë 162, Nikshiq 57, Budva 38, ndërsa në Tuz u regjistruan 9 raste të reja. Gjatë kësaj kohe u shëruan 539 të infektuar. Numri total i rasteve aktive është 8,104, nga të cilët 145 në komunën e Tuzit. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi, nga 119 pacientë, 58 janë në rrezik për jetën. Drejtoresha e Qendrës Klinike, Lilana Radulloviq, tha për Televizionin Vijesti se pacienti më i ri që po trajtohet në këtë spital është 19 vjeç dhe se nga numri i përgjithshëm i të shtruarve, dhjetë janë më të rinj se 40 vjeç. Më herët sot, Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se 51.1 përqind e popullsisë së rritur u vaksinua me dozën e parë të vaksinës së koronavirusit, dhe 45.2 përqind u rivaksinuan. Pulmonologu Vlladimir Jovanoviq konfirmoi për Televizionin e Malit të Zi se shumica e pacientëve që përfundojnë në pavionet me Covid nuk janë të vaksinuar.