MIRATOHET STRATEGJIA E RE E BERZH-it PËR MALIN E ZI

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka miratuar një strategji për Malin e Zi nga sivjet deri në vitin 2026, në të cilën prioritetet janë forcimi i konkurrencës së sektorit privat, mbështetja e kalimit të vendit në një ekonomi të gjelbër dhe mbështetja e lidhjes dhe integrimit të mëtejshëm. Prioriteti kryesor i BERZH-it në Mal të Zi, sipas përfaqësuesve të tij, është të ndihmojë në diversifikimin e ekonomisë së vendit në mënyrë që të zvogëlohet varësia nga turizmi sezonal dhe të përmirësohet mjedisi i biznesit. “Banka është e gatshme të mbështesë kompanitë, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në masat që promovojnë ngritjen e kapaciteteve, komercializimin dhe përmirësimin e qeverisjes. Këto masa përfshijnë financimin e drejtpërdrejtë, likuiditetin afatshkurtër, konsulencën e përshtatur dhe angazhimin e politikave,” thuhet në deklaratë. Banka po bën gjithashtu përpjekje për të mbështetur segmentet e nën-mbështetura të shoqërisë përmes promovimit të zgjidhjeve për përmirësimin e aftësive, përfshirje më të madhe financiare dhe qasje të barabartë në mundësi.

SHARE