RAMA, VUÇIQ DHE ZAEV MBËSHTESIN TREGUN E PËRBASHKËT RAJONAL

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehën dëshirën që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin. Të tre liderët mbajtën një video-konferencë për të diskutuar iniciativën e “mini- Shengenit”. Përmes një komunikate nga Presidenca e Serbisë, thuhet se të tria vendet “do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyra të reja, mundësi politike dhe instrumente financiare, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre në Evropë dhe të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian. “Si dhe gradualisht të integrojnë rajonin me tregun unik evropian”, thuhet në deklaratë. Duke folur për “Agjendën e Gjelbër”, Rama, Vuçiq dhe Zaev iu bën thirrje BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për të “mbështetur zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Tre liderët gjithashtu ranë dakord që më 29 korrik të takohen në Shkup për të shqyrtuar ecurinë e zbatimit të iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe për të nënshkruar marrëveshje shtesë për zbatimin e angazhimeve në kuadër të Procesit të Berlinit.

SHARE