KRIVOKAPIQ-BETEL: MALI I ZI DO TË JETË ANËTARI I PARË I ARDHSHËM I BE-së

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bethel, vlerësoi se Mali i Zi do të jetë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian (BE). Kryeministri Zdravko Krivokapiq u takua me Bethelin gjatë vizitës së tij në Luksemburg, ku ai po qëndron me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërqeveritare për pranimin e Malit të Zi në BE. Kabineti i Krivokapiqit njoftoi se bashkëbiseduesit diskutuan procesin e pranimit të Malit të Zi në BE dhe vunë në dukje se mbajtja e dinamikës së procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme për rajonin, por edhe për Evropën. Bethel deklaroi se është i kënaqur me takimin në të cilin ai theksoi se Luksemburgu është një mik i Malit të Zi dhe se pikërisht mbi këto baza marrëdhëniet midis dy vendeve po përmirësohen çdo ditë. Krivokapiq tha se Mali i Zi vlerëson përvojën e Luksemburgut dhe se është një shembull se si një vend i vogël mund të përdorë të gjitha potencialet ekonomike dhe anëtarësimin në BE për të krijuar një shoqëri të prosperuar. Ai ftoi Bethelin për të vizituar Malin e Zi dhe sugjeroi që me atë rast të nënshkruhet një marrëveshje mbi shmangien e taksimit të dyfishtë midis Malit të Zi dhe Luksemburgut. Betheli e pranoi ftesën dhe tha se ai do të vijë në Mal të Zi së bashku me delegacionin e Dhomës së Tregtisë të Luksemburgut dhe se tema kryesore do të jetë përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik.

SHARE