EUROPA “DËBON” KINËN NGA MALI I ZI, I PAGUAN PODGORICËS BORRXHIN GJIGAND

Vetëm pak pasi në takimet e liderëve europianë me presidentin e SHBA Joe Biden, u diskutua rreziku që përbën shtrirja e ndikimit të Kinës në Ballkan, një institucion financiar europian është shprehur i gatshëm të ndihmojë Malin e Zi që t’i shlyejë Pekinit borxhin prej një miliard dollarësh, që Podgorica e kishte marrë për projektin e diskutueshëm të një autostrade. Ministri i Financave, Millojko Spajiq, tha se kredia me interes të ulët nga institucioni financiar do t’i mundësojë qeverisë malazeze të bëjë kursime dhe të ulë normat e interesit. Spajiq shpjegoi se nuk mund ta zbulojë huadhënësin, por shtoi se bisedimet janë “në fazën e fundit”. Një burim i Bashkimit Evropian konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për sigurimin e kredisë është drejt përfundimit dhe se ajo do të nënshkruhet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Marrëveshja mund t’u japë fund pasigurive të vazhdueshme rreth borxhit në Mal të Zi dhe marrëdhënieve të këtij vendi me BE-në. Autostrada, e cila nuk ka përfunduar ende, dhe borxhi për të cilën Mali i Zi ka marrë kredi nga Banka Export-Import e Kinës, janë në qendër të një debati të nxehtë për ndikimin e Kinës në Europë.

SHARE