NIMANBEGU: QEVERIA I DËRGON MESAZH DIASPORËS SE ËSHTË E PADËSHIRUESHME

Qeveria po i dërgon një mesazh jodemokratik diasporës se është e padëshirueshme duke propozuar ndryshime në Ligjin për Regjistrin e Vendbanimit apo Vendqëndrimit dhe ndryshime në kriteret për marrjen e shtetësisë malazeze, tha deputeti i Listës Shqiptare Genci Nimanbegu, në një intervistë për “Pobjeda”. Nimanbegu gjithashtu vlerësoi se rezultatet e Qeverisë janë të padukshme, përveç kur bëhet fjalë për çorientimin në fusha të ndryshme, dhe shtoi se mos miratimi i buxhetit deri në muajin maj meriton dënimin e të gjithëve. Në pyetje të gazetarëve se si është  përfaqësimi i partive të pakicave në organet shtetërore, duke qenë se Krivokapiq njoftoi mundësinë e riorganizimit të qeverisë, Nimanbegu tha: “Situata tani është edhe më e keqe se më parë. Do të jetë e vështirë t’i përgjigjemi pozitivisht një thirrje të mundshme nga Krivokapiq, veçanërisht nëse dihet se thirrja e tyre e hershme ishte vetëm protokoll dhe e pasinqertë. Lista shqiptare kishte deshirën për t’iu përgjigjur pozitivisht, por qeveria nuk donte që ne të kishim një rol korrigjues në qeveri dhe prandaj nuk morëm asnjë përgjigje prej tyre. Ne jemi dëshmi se Qeveria e Malit të Zi nuk i dëshironte pakicat në Qeveri. Pjesëmarrja jonë në negociata është provë se ne duam të përfaqësojmë me përgjegjësi popullin pakicë shqiptar në Malin e Zi.” Nimanbegu foli edhe për shkarkimin e ministrit Leposaviq, për Ligjin në Prokurorinë e Shtetit, i cili do të jetë në rendin e ditës më 11 maj, punën e Komitetit të Reformës së Legjislacionit Zgjedhor, etj.

SHARE