Nga e hëna, 29 mars, nxënësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në Malin e Zi pritet që të kthehen në shkollë dhe kopshtë, njoftoi një anëtar i Ekipit të Ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, Martin Qallasan. Ai për TV Vijesti tha se, duke ndjekur situatën aktuale epidemiologjike në vend, presin që shkollat të hapen javën e ardhshme, dhe në rast se kjo nuk do të ndodhë për të gjithë fëmijët, përparësi do t’u jepet nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve. “Ne jemi duke monitoruar situatën epidemiologjike, dhe po e bëjmë atë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Në javën nga 8 deri më 12 Mars, ne ndoqëm situatën e mëparshme dhe atë që po ndodhte në shkolla. Ne vumë re se në fillim të Marsit kishim rreth 2,300 fëmijë që ishin në vet-izolim, si dhe pothuajse 300 mësues me COVID. Fakti që numri i mësuesve të infektuar u rrit me gati 30 përqind në një javë ishte veçanërisht problematik, domethënë, i vështirë për ne,” shpjegoi Qallasan. Ai theksoi se kjo ishte një nga arsyet kryesore që të gjitha shkollat të kalojnë në mësim në distancë javën e kaluar dhe këtë javë.