JEMI DUKE VONUAR ME VAKSINIMIN DHE EDUKIMIN

Mali i Zi është vonuar dukshëm me sigurimin e vaksinave kundër korona virusit , me strategjinë e vaksinimit por edhe me edukimin e qytetarëve për rëndësinë e imunizimit si dhe me ballafaqimin me lobin kundër vaksinimit dhe me teorinë e komplotit , ka vlerësuar për gazetën “Dan” epidemiologia Milena Popoviq-Samarxhiq. Ajo ka theksuar se Mali i Zi është një shtet i vogël dhe se vaksinimi i popullatës mund të kryhet relativisht shpejt. “Jemi duke vonuar me blerjen e vaksinës, mirëpo kohën e pritjes mund ta plotësojmë me një fushatë më intensive në promovimin e vaksinës dhe me sqarimin e dallimeve ndërmjet vaksinave në disponim”, ka sqaruar Popoviq Samarxhiq. Ajo ka shtuar se teoritë e komplotit dhe të lobit antivaksinë mund të ndalohen vetëm me transparencë dhe edukim dhe se nuk duhet të jesh ekspert i madh , por duhet përgjigjur në çdo pyetje pa marrë para sysh se sa banale mund të jetë ajo.

SHARE