ABAZOVIQ: BESOJ SE SHPEJT DO TË KEMI NJË GJYKATË KUSHTETUESE FUNKSIONALE

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se beson se Mali i Zi shumë shpejt do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nëse nuk tentohet të politizohet ai institucion. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Ulqin, Abazoviq  u tha gazetarëve se nesër është “Dita D” kur do të mbahet seanca e Komisionit Kushtetues në të cilën do të përcaktohet lista e ngushtë e kandidatëve. Siç tha ai, më e rëndësishmja është të fitohen katër anëtarë të besueshëm dhe t’i jepet fund përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Nëse nuk tentohet të politizohet Gjykata Kushtetuese, besoj se shumë shpejt, pas dy javësh apo aq sa duhet për të caktuar një seancë, do të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, e cila do të ishte një shtysë e madhe për integrimin europian,” tha Abazoviq. I pyetur se kur Lëvizja Qytetare URA do të mbajë qëndrim lidhur me kandidatët në zgjedhjet presidenciale, Abazoviq tha se për këtë partia ndoshta do të vendosë javën e ardhshme në organet e partisë, por edhe se puna e Qeverisë është preokupim qendror i tyre.  Ai përsëriti se më e rëndësishmja është që Mali i Zi të ketë një president të ri, të jetë qytetar, evropian dhe të ketë bashkëpunim shumë më të mirë me Qeverinë. “Të gjithë kandidatët që hynë në garë në parim janë interesantë dhe në mesin e tyre ka vërtet njerëz që do të doja t’i shihja si presidentë të Malit të Zi”, tha Abazoviq. I pyetur nëse do ta mbështeste kandidaturën e liderit të Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiq, ai u përgjigj se “me atë që tha, në njëfarë mënyre i ka dhënë mbështetje, jo vetëm atij, por kujtdo që ka orientim qytetar. “

SHARE