SHQIPËRIA MERR PRESIDENCËN E KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË OKB-SË MË 1 QERSHOR

Shqipëria do të marrë Presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në periudhën 1 qershor – 30 qershor 2022. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS-OKB-së gjatë mandatit të saj në Këshill. Sipas ministrisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka, nisen sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të marrjes së Presidencës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Theksohet se më 2 qershor, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, sipas ministrisë “të theksuar edhe më shumë për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”. Gjatë qëndrimit në New York, Rama dhe Xhaçka do të priten në takime nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres si dhe nga zyrtarë të tjerë. Sipas njoftimit të ministrisë, programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë. Ndërkohë, vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Shqipëria është pranuar si anëtare në Kombet e Bashkuara më 14 dhjetor 1955. Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

SHARE