SPAJIQ: VAZHDIMI I AUTOSTRADËS VITIN E ARDHSHËM

Zhvillimi dinamik i infrastrukturës është një nga qëllimet kryesore të Qeverisë dhe një parakusht i rëndësishëm për intensifikimin e aktiviteteve ekonomike, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq në një takim me përfaqësuesit e investitorëve të huaj në Mal të Zi.

Siç është bërë e ditur nga Spajiq, ai i ka njohur bashkëbiseduesit me planet për zhvillimin e trafikut dhe infrastrukturës hekurudhore dhe në këtë kontekst ka paralajmëruar fillimin e punimeve në pjesën e dytë të autostradës gjatë vitit të ardhshëm.

“Ne besojmë në ndryshimet ekonomike dhe krijimin e vlerave të reja për qytetarët tanë. Për këtë është e nevojshme të punohet pa kompromis për eliminimin e ekonomisë informale dhe barrierave të biznesit”, tha kryeministri.

Përfaqësuesit e Këshillit të Investitorëve të Huaj e njohën kryeministrin me strategjinë për periudhën 2024-2026 dhe shprehën besimin se Mali i Zi mund të jetë vendi më konkurrues për investime në rajon.

“Ne jemi të inkurajuar nga gatishmëria e qeverisë për të përcaktuar në mënyrë më efektive sfidat e njohura me të cilat përballen investitorët e huaj. Besojmë se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vendimmarrjes së kujdesshme që mund të ndikojë në të gjithë ekonominë, me theks të veçantë në politikën tatimore dhe harmonizimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor me standardet evropiane”, tha Tamash Kamarashi, president i Këshillit të Investitorëve të Huaj në Mal të Zi dhe kryetar i Bordit të Drejtorëve të CKB.

Në takim u vlerësua gjithashtu se forcimi i infrastrukturës, digjitalizimi i bazës së të dhënave dhe mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë të rëndësishme për vazhdimin e zhvillimit ekonomik të Malit të Zi.

Për realizimin sa më efikas të qëllimeve të përcaktuara, është shprehur gatishmëria për organizimin e takimeve të rregullta të përfaqësuesve të Qeverisë dhe Këshillit të Investitorëve të Huaj në Mal të Zi.

SHARE