THATËSIRAT INTENSIVE, PËRMBYTJET TË FRIKSHME / MOT EKSTREM KUDO NË BOTË, OKB LËSHON ALARMIN

Të gjitha rajonet e botës janë përballur me mot ekstrem këtë vit, me përmbytje, thatësira e stuhi të forta dhe miliarda njerëz nuk kanë pasur ujë të mjaftueshëm për pije, thanë të martën Kombet e Bashkuara. Shumë rajone kanë regjistruar nivele rekorde thatësirash gjatë 2021-shit, krahasuar me kushtet normale, nënvizon Agjencia e OKB-së për Motin në raportin e saj më të fundit. Në raport, janë vlerësuar efektet e këtyre ndryshimeve në klimë, ambient dhe shoqëri. “Ndikimi i ndryshimeve klimatike kryesisht shihet tek uji, thatësirat janë më intensive dhe më të shpeshta, përmbytjet janë të shkallës më ekstreme, duke prekur ekonomitë, ekosistemet dhe të gjitha aspektet e përditshmërisë sonë”, tha shefi i Agjencisë së OKB-së për Motin, Petteri Taalas. Rreth 3.6 miliardë njerëz përballen me kushte jo të mira për sa i takon aksesit në ujë të pijshëm, të paktën një muaj gjatë vitit. Në periudhën 2001-2018, 74 për qind e të gjitha katastrofave natyrore kanë qenë të lidhura me ujin, sipas studimeve të OKB-së. Shkencëtarët tashmë kanë paralajmëruar për rritje të temperaturës së Tokës në 1.2 gradë Celsius krahasuar me epokën paraindustriale. Temperaturat, thuhet se do të vazhdojnë të rriten në rast se qeveritë nuk marrin masa për të ndaluar emetimet e dioksidit të karbonit.

SHARE