NATO-ja DO TË DISKUTOJË PËR SHTIMIN E PËRHERSHËM TË PRANISË NË KOSOVË

Në takimin e ardhshëm dyditor, ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s do të diskutojnë për mundësinë e një shtimi të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Së fundmi kemi shtuar praninë tonë në Kosovë, duke dërguar një mijë ushtarë shtesë. Tani po e shqyrtojmë nëse duhet të ketë një shtim më të përhershëm dhe nëse kemi nevojë për disa kapacitete të reja të posaçme”, tha Stoltenberg.

Për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, Stoltenberg foli edhe gjatë një vizite në Prishtinë më 20 nëntor.

Aktualisht në Kosovë janë 4.687 trupa në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Krerët e diplomacisë së shteteve anëtare të NATO-s do të takohen më 28 dhe 29 nëntor në selinë e aleancës në Bruksel.

NATO ka shtuar praninë e saj në Kosovë pas 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan po atë ditë, u vranë tre sulmues.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Stoltenberg i dërgoi një mesazh të posaçëm Serbisë dhe Kosovës që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne ftojmë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun, e mbështetur nga BE-ja, në mirëbesim, dhe gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm për dialogun dhe që ky proces të jetë më konstruktiv”, tha ai.

Shefi i NATO-s u bëri thirrje palëve të përmbahen nga retorika dhe veprimet nxitëse që mund të rrisin tensionet në rajon.

Në takimin e 28 nëntorit, ministrave të NATO-s do t’iu bashkohet edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Lufta në Ukrainë dhe agresioni i Rusisë në këtë vend do të ketë hapësirën më të madhe në diskutimin e ministrave.

Në këtë drejtim, kreu i NATO-s konfirmoi se do të diskutohen edhe veprimet destabilizuese të Rusisë, në Ukrainë dhe më gjerë. Ai paralajmëroi se Rusia po përpiqet të destabilizojë Evropën me dezinformata, sulme kibernetike dhe migrim.

SHARE