100 EURO PËR ÇDO NXËNËS FILLESTAR NË KOMUNËN E TUZIT

Foto: TV BOIN

Komuna e Tuzit ka njoftuar se, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, çdo nxënës që fillon klasën e parë në shkollat në territorin e kësaj komune do të përfitojë 100 euro ndihmë financiare.

Mjetet janë të dedikuara për blerjen e mjeteve shkollore dhe pajisjeve të nevojshme për fillimin e procesit mësimor.

Nga Komuna e Tuzit thanë se kjo nismë synon t’u lehtësojë familjeve një pjesë të shpenzimeve që lidhen me përgatitjet për fillimin e shkollës.

“Ky është një hap konkret në mbështetje të familjeve tona, veçanërisht në një periudhë kur përgatitjet për shkollën shoqërohen me shpenzime të shumta. Me këtë iniciativë duam t’u lehtësojmë prindërve një pjesë të këtyre detyrimeve dhe t’u mundësojmë fëmijëve tanë më të vegjël ta presin vitin e ri shkollor të përgatitur, të buzëqeshur dhe me vetëbesim”, thuhet në njoftim.

Sipas komunës, kjo mbështetje është gjithashtu një mesazh se fëmijët, arsimimi i tyre dhe mirëqenia e familjeve mbeten ndër prioritetet kryesore të Komunës së Tuzit.

Komuna u ka uruar të gjithë nxënësve të klasave të para një fillim të mbarë dhe të suksesshëm të rrugëtimit të tyre shkollor, me shumë njohuri të reja, miqësi dhe suksese gjatë gjithë vitit.

“Investojmë te fëmijët tanë, mbështesim familjet tona dhe së bashku ndërtojmë një të ardhme më të mirë të Malësisë”, thuhet në njoftim.

SHARE