Teknologjia e re ushtarake izraelite i lejon operatorët të ‘shikojnë përtej mureve’

Sipas një raporti, teknologjia e re ushtarake izraelite i lejon përdoruesit të zbulojnë objekte dhe njerëz “përtej mureve” duke përdorur një algoritëm gjurmimi të bazuar në Inteligjencë Artificiale.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Xaver 1000, i prodhuar nga kompania izraelite Camero-Tech, u zbulua për herë të parë në ekspozitën Eurosatury 2022 në Paris, Francë.

Ajo është pjesë e familjes së produkteve “See Through Walls”, të cilat, sipas kompanisë, ofrojnë informacion në kohë reale për objektet dhe njerëzit e fshehur pas mureve.

Kështu, Camero-Tech pretendon se XAVER-1000 i ri është një “sistem thelbësor” për ushtritë, forcat e rendit, njësitë e inteligjencës dhe ekipet e kërkimit dhe shpëtimit.

Kompania tha se është një mjet i ri për operacionet taktike, pasi mund të zbulojë praninë e njerëzve në dhoma, numrin e njerëzve dhe distancën e tyre nga sistemi, lartësinë dhe orientimin e objektivit, si dhe paraqitjen e përgjithshme të një hapësire.

Teknologjia mund të shfaqë objekte të gjalla, pas mureve, në rezolucion kaq të lartë sa që mund të zbulojë nëse një person është ulur, në këmbë ose shtrirë, edhe nëse ai ka qenë i palëvizshëm për një periudhë të konsiderueshme.

Pjesët specifike të trupit janë gjithashtu të zbulueshme, tha kompania.

Përdorimi i saj është i lehtë dhe kërkon trajnim minimal. /Telegrafi/

SHARE