Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur të enjten, duke vazhduar fitimet e një dite më parë, për shkak të shqetësimeve për furnizimin me naftë, pas pretendimeve të Huthëve të Jemenit se kanë goditur rafinerinë më të madhe të Arabisë Saudite dhe raportimeve për goditjen e të paktën dy anijeve nga minat iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Nafta e papërpunuar Brent u rrit për 10 centë, ose 0.1 për qind, duke arritur në 94.71 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u shtrenjtua për 31 centë, ose 0.4 për qind, në 83.99 dollarë për fuçi.
Sipas Reuters, çmimet janë rritur për të tretën ditë radhazi dhe këtë javë kanë shënuar rritje prej rreth 5 për qind. Kjo vjen pasi në tri javët e para të nëntorit kishin rënë me afërsisht një të katërtën.
Një ditë më parë, nafta Brent u rrit për 3.5 për qind, ndërsa WTI për 2 për qind, pas deklaratës së rebelëve Huthi të Jemenit, të cilët thanë se kishin sulmuar rafinerinë Ras Tanura të Arabisë Saudite dhe distriktin financiar të Riadit.
Rafineria Ras Tanura është më e madhja në Arabinë Saudite dhe pjesë e një kompleksi që shërben edhe si terminal i rëndësishëm për eksportin e naftës saudite.
Analistët presin që sulmet e fundit të rrisin edhe më tej primin e rrezikut gjeopolitik në tregjet e naftës.
Ndërkohë, eksportet e naftës nga Lindja e Mesme kanë vazhduar të rriten, pavarësisht sulmeve ndaj transportit detar, çka më herët kishte nxitur pritjet për një tepricë globale të naftës gjatë këtij viti.









