HAXHIU: MBROJTJA E ISH-KRERËVE TË UÇK-së KËRKON STRATEGJI JURIDIKE, JO NISMA POLITIKE

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë kërkon një strategji konkrete dhe veprime me efekt juridik, e jo vetëm nisma me ndikim politik.

Ajo bëri të ditur se Qeveria ka themeluar një grup punues për hartimin e kësaj strategjie, i cili ka zhvilluar disa takime dhe pritet të përgatisë së shpejti një dokument konkret.

Duke folur për nismat ligjore lidhur me Gjykatën Speciale, Haxhiu tha se ato janë mbështetur, por shprehu dyshime se mund të kenë ndikim juridik në proceset gjyqësore.

Ajo njoftoi gjithashtu se ligji i kthyer nga presidentja vazhdon të jetë në procedurë në Kuvend.

Sipas opinionit të zyrës ligjore, çështja duhet të shqyrtohet në seancë plenare, ku deputetët do të vendosin për veton presidenciale.

Haxhiu u bëri thirrje të gjitha palëve politike dhe institucioneve që të bashkërendojnë përpjekjet për hartimin e një strategjie efektive, duke theksuar se prioritet duhet të jenë veprimet që mund të prodhojnë pasoja juridike dhe jo vetëm deklaratat politike.

SHARE