FONDET E BE-së MUNDËSI E MADHE PËR BIZNESET NË MAL TË ZI, POR KËRKOHEN PROJEKTE CILËSORE

Foto: PKCG

Kompanitë malazeze duhet të përgatiten që tani për shfrytëzimin e fondeve evropiane, pasi përfitimi nga këto mjete pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të varet nga cilësia e projekteve, sigurimi i bashkëfinancimit dhe përmbushja e kushteve të thirrjeve publike.

Kjo u theksua në panelin “Fondet e BE-së – nga IPA te politika e kohezionit”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi dhe Ministria e Çështjeve Evropiane.

Profesoresha Gordana Gjuroviq vlerësoi se fondet evropiane paraqesin një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, rritjen e fuqisë blerëse, uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ajo theksoi se kompanitë duhet të identifikojnë me kohë projektet që u përgjigjen nevojave të tyre. Edhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit nënvizuan se kompanitë nuk duhet të presin anëtarësimin në BE për të nisur përgatitjet, por duhet të sigurojnë partnerë, dokumentacionin e nevojshëm dhe mbështetjen financiare.

Nga Ministria e Financave u bë e ditur se Mali i Zi ka përvojë në menaxhimin e fondeve para anëtarësimit, por shfrytëzimi i mjeteve pas anëtarësimit do të kërkojë kapacitete më të mëdha administrative dhe profesionale.

Duke ndarë përvojën e Kroacisë, pjesëmarrësit paralajmëruan se fondet evropiane nuk përfitohen pa përgatitje serioze.

Sipas tyre, kompanitë duhet të zgjidhin me kohë çështjet pronësore, të planifikojnë financat dhe të përgatiten për konkurrencën në tenderët evropianë.

Në fund u theksua se përgatitja e hershme e projekteve dhe bashkëpunimi ndërmjet bizneseve, institucioneve dhe sektorit financiar do të jenë vendimtare për shfrytëzimin e fondeve të BE-së.

SHARE