KE-ja PROPOZON RREGULLA TË REJA KUNDËR NDOTJES SË AJRIT DHE UJIT

Komisioni Evropian (KE) ka propozuar rregulla të reja për të rritur standardet në luftën me ndotjen e ajrit dhe ujit dhe për të arritur objektivin e saj “zero ndotje”. Në një deklaratë nga KE-ja thuhet se nivelet e përqendrimit të grimcave të rrezikshme (PM2.5) do të reduktohen në nivelin e udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Në deklaratë vihet në dukje se vlera kufi vjetore e PM2.5 do të ulet nga 25 njësi në 10 njësi. Po ashtu thuhet se synohet të reduktohen me rreth 75 për qind vdekjet lidhur me këtë dhe se propozimet janë në përputhje me objektivin për ndotje zero që parashikon Marrëveshja e Gjelbër e Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2050. Më tej theksohet se revizionimi përkatës do të sigurojë që personat e dëmtuar nga ndotja e ajrit të marrin dëmshpërblim në rast të shkeljes së rregullave të BE-së për cilësinë e ajrit dhe do të sjellin më shumë qartësi për çështjet e informimit më të mirë publik rreth qasjes në drejtësi, ndëshkimeve efektive dhe cilësisë së ajrit. Zëvendës presidenti i KE-së, Frans Timmermans ka thënë se “Çdo vit qindra evropianë vdesin para kohe dhe shumë të tjerë vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive ose nga kanceri lidhur me ndotjen. Sa më shumë të presim për të reduktuar këtë ndotje, aq më shumë do të ketë kosto për shoqërinë. Dëshirojmë që deri në vitin 2050 të pastrojmë mjedisin tonë nga ndotësit e dëmshëm”. Në një deklaratë ditë më parë nga KE-ja thuhej se 47 për qind e qytetarëve në 27 vende anëtare mendojnë se cilësia e ajrit është përkeqësuar në 10 vitet e fundit ndërsa 89 për qind e tyre thonë se sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të damarëve të zemrës janë të lidhura me kushtet e këqija të ajrit.

SHARE