Ulja e akcizës për karburantet, e cila për shkak të rritjes së çmimit të naftës, është miratuar më herët nga Qeveria e Malit të Zi, do të qëndrojë në fuqi deri më 30 shtator të këtij viti. Kjo parashikohet në Vendimin për ndryshimin e vendimit për zvogëlimin e masës së akcizës për shitjen e benzinës dhe gazit, i cili u miratua në seancën e djeshme. Kjo do të thotë se ulja 50 për qind e akcizës do të mbetet në fuqi edhe për muajin e ardhshëm, edhe nëse do të ketë ulje të re të çmimit të karburanteve. Në mbledhjen telefonike, me pëlqimin e shumicës së anëtarëve, qeveria miratoi Informacionin për aplikimet për projekte të përgatitura për dorëzim në kuadër të thirrjes së 28-të për mbështetje teknike për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe thirrjes së 7-të për bashkëfinancim të investimeve për zbatimin e projekteve infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Poashtu, është miratuar edhe Propozimi për ridrejtimin e mjeteve nga njësia shpenzuese e Ministrisë së Financave në njësinë shpenzuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme.