Foto: Luka Zekovic
Çmimi i bukës së bardhë bazë prej 500 gramësh në Mal të Zi do të rritet me 5 centë nga mesi i muajit korrik, duke kaluar nga 85 në 90 centë.
Sipas përfaqësuesve të industrisë së furrave, rritja prej 5.8 për qind është rezultat i shtimit të kostove të prodhimit gjatë vitit të fundit, përfshirë transportin e miellit, pagat e punëtorëve, si dhe çmimet e lëndëve të para.
Nga rritja e re e çmimit, rreth katër centë do të mbulojnë shpenzimet e prodhuesve dhe marzhën e tregtarëve, ndërsa pjesa tjetër lidhet me rritjen e TVSH-së.
Sipas furrtarëve, ky është rregullimi minimal i nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit.
Buka bazë është shtrenjtuar për herë të fundit në qershor të vitit 2025, kur çmimi u rrit nga 80 në 85 centë.
Ndërsa që nga viti 2021, kur kushtonte 50 centë, çmimi i saj është rritur gjithsej me 40 centë.
Furrtarët rikujtojnë se shteti nuk ua ka kompensuar ende rreth 300 mijë euro të premtuara për humbjet e shkaktuara gjatë periudhës kur çmimi i bukës ishte i ngrirë.










