IRANI PËRPIQET TË MOS PËRFSHIHET NË LUFTËN MES SHBA DHE HUTHËVE

Nuk janë vetëm raketat që po lëshohen, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar po tentojnë t’ua pamundësojnë rebelëve Huthi të Jemenit, sulmet kundër anijeve në prej rrugëve kryesore detare për bartje të mallrave.

Pyetja është se sa larg mund të shkojë secila palë me këto veprime, pa e përfshirë Teheranin në një konflkt më të gjerë në Lindje të Mesme, në mbrojtje të Huthëve, të cilët kanë kryer sulme në anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin Aden.

Pas nisjes së këtyre sulmeve, Uashingtoni e ka kthyer sërish organizatën e Huthëve në listën e organizatave terroriste.

“Qëllimi ynë vazhdon të jetë ulja e tensioneve dhe rikthimi i stabilitetit në Detin e Kuq”, kanë thënë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes një deklarate të përbashkët, pas rundit të fundit të sulmeve kundër shënjestrave të Huthëve në Jemen, më 21 janar.

“Por, le ta përsërisim paralajmërimin tonë ndaj udhëheqësisë së Huthëve: ne nuk do të hezistojmë të mbrojmë jetët e njerëzve dhe lëvizjen e lirë në një prej rrugëve kryesore në botë, teksa kryhen këto sulme”.

Huthët janë përgjigjur me zotimet për të vazhduar luftën kundër atij që e kanë cilësuar “gjenocid” të Izraelit ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës.

“Agresioni amerikano-britanik vetëm sa do të rrisë vendosmërinë e popullit të Jemenit për t’i kryer përgjegjësitë morale dhe humanitare kundër shtypjes në Gazë”, ka thënë Muhammad al-Bukhaiti, zyrtar i lartë politik i Huthëve.

“Këto sulme nuk do të mbesin pa përgjigje dhe pa ndëshkime”, ka thënë zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree.

Dy palët janë përleshur sërish, më 24 janar, ditën kur Huthët kanë thënë se kanë lëshuar raketa balistike kundër disa anijeve ushtarake amerikane, të cilat mbrojnë anijet komerciale amerikane teksa kalojnë në Ngushticën Bab al-Mandab në gjirin e Jemenit.

Komanda Qendrore e SHBA-së, ka thënë se tri raketa janë nisur drejt anijeve amerikane, dhe dy janë rrëzuar prej sistemeve ajrore amerikane, derisa e treta ka rënë në Gjirin e Adenit.

SHARE