Lidhja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare me Kosovën dhe mbështetja e tij për çështjen e saj janë rikthyer në vëmendje përmes një ekspozite të veçantë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Shtëpinë Studio Kadare, është ekspozuar dorëshkrimi origjinal i veprës “Ra ky mort e u pamë”, ku shkrimtari dokumentoi dramën e luftës në Kosovë.
Publiku pati mundësinë të shohë edhe dorëshkrime, korrespondenca dhe botime të rralla që dëshmojnë lidhjen e tij me Kosovën.
Vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare, kujtoi se në shtator të vitit 1991, nga Parisi, i ati u kishte dërguar letra Papës dhe tre presidentëve, duke tërhequr vëmendjen për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë dhe duke paralajmëruar për rrezikun e një masakre.
Përfaqësueset e institucioneve kulturore vlerësuan se Kosova zinte një vend të veçantë në krijimtarinë dhe ndërgjegjen historike të Kadaresë.
Ndërsa zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Rinisë në Kosovë, Nora Arapi-Krasniqi, theksoi se shkrimtari përdori autoritetin e tij ndërkombëtar për të mbështetur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe për të bërë të njohura padrejtësitë ndaj tyre.
Botuesi Bujar Hudhri kujtoi gjithashtu vizitën e parë të Kadaresë në Prishtinë dhe rikthimin e tij pas përfundimit të luftës, kur shkrimtari u prit ngrohtësisht nga qytetarët.
Ekspozita përmbyll aktivitetet e organizuara me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, duke rikujtuar lidhjen e tij të veçantë me Kosovën dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare.









