“KOSOVËN E KEMI TONËN” VARHLEYI NË PRISHTINË: E PËRKUSHTUAR NDAJ BE-së

Komisioneri Europian i Zgjerimit Oliver Varhelyi theksoi se Kosova është shumë e përkushtuar sa i takon afrimit me Bashkimin Europian.

Ai potencoi se në Kosovë vitet e fundit është bërë progres në çështje të dialogut Kosovë-Serbi dhe tani palët duhet të implementojnë marrëveshjet e arritura dhe duhet të shfrytëzohet momentum për të ecur para me zbatimin e marrëveshjes.

“Mjafton të përmendim konkluzën edhe të Këshillit të Evropës të shkurtit të këtij viti ku thuhet se Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte detyrimet që u zotuan në kuadër të dialogut duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013-2015 të krijohet një bashkësi e komunave me shumicë serbe”, theksoi Varhelyi.

Presidentja Osmani tha se BE-ja për Kosovën nuk është një aspiratë afatgjate, por është një vendosmëri shumëdekadëshe e udhëhequr nga vlerat demokratike.

Ajo tha se ndonëse ka ende shumë punë për të bërë, përkushtimi kosovar për t’i ndërmarrë të gjitha hapat që Kosova të integrohet në BE është i palëkundur.

“Republika e Kosovës përgjatë muajve të fundit ka ndërmarrë hapa vendimtar për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian siç e përmenda më parë, kjo është udhëhequr nga vullneti i popullit tonë dhe përcaktimi ynë për të ardhmen dhe vlerat të cilat na bashkojnë. Andaj, mbes me shpresë që ky angazhim të jetë po aq proaktiv edhe nga ana e partnerëve tanë evropianë dhe politika e zgjerimit të shihet edhe si mundësia e vetme për një Evropë të tërë të lirë e në paqe”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në derisa po vazhdon të qëndrojë përkrahë aleatëve për ta mbrojtur demokracinë dhe vlerat e përbashkëta.

SHARE