BB: SHQIPËRIA, RIMËKËMBJE TË FORTË EKONOMIKE

Pavarësisht rritjes së çmimeve dhe energjisë, ekonomia e Shqipërisë gjatë vitit 2022 sipas raportit të Bankës Botërore është rimëkëmbur me ritme të forta.

“Ekonomia e Shqipërisë u zgjerua mesatarisht me 4.84 për qind në vitin 2022 dhe rritja rezultoi me bazë të gjerë. Inflacioni i lartë i ushqimeve dhe energjisë ka nxitur ofrimin e mbështetjes shtesë nga qeveria për familjet dhe bizneset.”

Në raport thuhet se tregtia dhe ndërtimi ishin sektorët që udhëhoqën rritjen ekonomike në vitin 2022. Edhe sezoni turistik i cilësuar si i jashtëzakonshëm nga Banka Botërore pati ndikimin e vet.

“Në vitin 2022 numri i turistëve u rrit me 27.5 përqind dhe numri i netë-qëndrimeve me 20 për qind. Pavarësisht rritjes së çmimeve të importeve, defiçiti i llogarisë korente të Shqipërisë u zvogëlua në 6 për qind të PBB-së, kryesisht falë rritjes së jashtëzakonshme të eksporteve turistike.“

Raporti vë në pah edhe rritjen vjetore të punësimit që u përshpejtua në 4.0 për qind në vitin 2022.

“Deri në fund të vitit, punësimi në Ballkanin Perëndimor është tkurrur me mbi 1 për qind. Shqipëria dhe Mali i Zi janë të vetmet vendet ku nivelet e punësimit vazhduan të rritet.”

Sipas Bankës Botërore pagat reflektuan përmirësimin e kërkesës për punë.

Për vitin 2023, Banka Botërore parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të mbetet e ulët.

“Sipas skenarit bazë të përmirësimit të perspektivave të rritjes ekonomike në BE dhe normalizimit gradual të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, nga viti 2024 e në vijim rritja ekonomike pritet të jetë me bazë të gjërë.”

Banka Botërore parashikon se inflacioni do ulet gradualisht në vitin 2023 për t’u kthyer në objektivin 3 për qind të BSH-së në mesin e vitit 2024.

SHARE