Qeveria e re, së bashku me shumicën parlamentare, për të arritur një konsensus të përgjithshëm dhe për të përshpejtuar rrugën evropiane të Malit të Zi, do të propozojë shtyrjen e regjistrimit për një muaj, tha mandatari dhe lideri i “Evropa Tani”, Millojko Spajiq.
Spajiq njoftoi se qeveria e re do të propozojë shtyrjen e regjistrimit për një muaj.
“Për të krijuar kushtet që kjo veprimtari e rëndësishme shoqërore të fitojë legjitimitet absolut në atë periudhë, përmes përmirësimit të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, dhe duke pranuar kërkesat thelbësore të këshillit dhe të popujve më pak në numër dhe të opozitës”, thotë Spajiq.
“Besoj se pjesëmarrja e opozitës në komisionet e regjistrimit, si në vitin 2011, është e rëndësishme për legjitimitetin e regjistrimit, në mënyrë që të mos vihet në dyshim rëndësia e të dhënave apo të kërkohen arsyetime të ndryshme për pengim dhe politizim. Regjistrimi është një kategori statistikore dhe cilësia e të dhënave të mbledhura është shumë e rëndësishme për vendin sepse në radhë të parë na ndihmon në marrjen e vendimeve kyçe për të ardhmen e vendit tonë. Ndër pyetjet më të rëndësishme janë: sa të rinj u larguan nga Mali i Zi për të siguruar bukën e gojës, si është tregu ynë i punës, a kemi nevojë për rikalibrim të strategjisë së ndërtimit të ndërtesave të banimit dhe gjëra të tjera”, tha mandatari.
Gjithashtu, siç thotë Spajiq, regjistrimi në periudhën që përkon me festat do të mundësonte pjesëmarrjen në regjistrim edhe të atyre qytetarëve që mungojnë në vendlindjen e tyre, për shkak të punës sezonale në një komunë tjetër malazeze, apo atyre që qëndrojnë përkohësisht jashtë vendit, si një nga kërkesat kryesore të partive dhe këshillave të popujve më pak në numër.
“Për hir të legjitimitetit dhe që të dhënat të jenë të padiskutueshme, do të propozojmë edhe futjen e një softueri të posaçëm, i cili do t’i mundësonte çdo qytetari të kryejë kontrollin pasi regjistruesi të marrë të dhënat, gjë që do të parandalonte çdo keqpërdorim dhe paragjykim të pretenduar të regjistruesve. Duke qenë se regjistrimi është shumë i rëndësishëm për vendin për shkak të marrjes së të dhënave të reja të përditësuara, kohezionit social dhe frymës së kompromisit për shkak të vendosmërisë sonë të qartë për të qenë pjesë e botës së qytetëruar dhe BE-së, pres që të gjithë aktorët politikë të marrin pjesë në këtë proces për të kontribuar në uljen e tensioneve dhe ridrejtimin e fokusit të plotë në ekonomi”, u shpreh Spajiq.