Me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiq nga Heroi Ded Gjo Luli gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe të Kuvendit historik të Grecës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historike, kulturore dhe artistike të Shoqatës “Kënga Jonë”, që u zhvillua në Shkodër.
Presidenti Ilir Meta çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” luftëtarin e paepur dhe atdhetarin legjendar Prekë Cali (pas vdekjes) – “Për kontribut të shquar në mbrojtjen e kufijve shqiptarë në Kelmend të Malësisë së Madhe, gjatë viteve 1911-1926. Në nderim të sakrificave të tij sublime, që lartësuan flamurin kombëtar, duke luftuar deri në vetëmohim për liri dhe mëvetësi”.
Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” atdhetarët e shquar:
Pretash Zekë Ulajn (pas vdekjes) – “Në vlerësim të kontributeve të spikatura si komandant i flamurtarëve të Kojës, në ngritjen e flamurit në malin e Deçiçit, më 6 prill 1911. Me mirënjohje dhe nderim ndaj sakrificave, atdhetarizmit dhe patriotizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar dhe vlerat liridashëse të shqiptarëve.”;
Prekë Golajn (pas vdekjes) – “Me mirënjohje ndaj kontributeve dhe akteve trimërore me pushkë e me penë në dorë për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjerë, gjatë viteve 1911-1921. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar.”;
si dhe Kolë Maç Smajlajn (pas vdekjes) – “Me mirënjohje ndaj kontributeve të shquara për mbrojtjen e trojeve shqiptare në vitet 1911-1921, duke luftuar deri në vetëmohim. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar”.
Presidenti Meta në fjalën e tij përshendetëse ndër të tjera tha: “Kjo kryengritje shumë shpejt mori përmasa të jashtëzakonshme dhe pas sukseseve të dy javëve të para, në 6 prillit 1911, trimat e Malësisë, të mbështetur dhe nga përfaqësues të viseve të tjera, çuan në vend amanetin e Gjergj Kastriotit, duke shpalosur flamurin kombëtar me shqiponjën dy-krenore në Deçiq.” “Mirënjohje dhe nderimin më të thellë për kontributet dhe aktet trimërore, për sakrificat sublime dhe atdhetarizmin e treguar për të lartësuar Flamurin Kombëtar, që përherë do të frymëzojnë. Asgjë nuk mund ta zhbëjë patriotizmin dhe gjakun e derdhur për mbrojtjen e Shqipërisë së lirë, të pavarur dhe sovrane,” deklaroi Presidenti Shqiptar.