SPAJIQ: ANËTARËSIMI I MALIT TË ZI NË BE ËSHTË EDHE INTERES STRATEGJIK I SHBA-së

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë ceremonisë me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaroi se synimi i Malit të Zi për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028 nuk është vetëm një objektiv kombëtar dhe evropian, por edhe një interes strategjik i SHBA-së.

Sipas tij, një Mal i Zi i integruar në BE do të nënkuptonte një Ballkan më të qëndrueshëm, institucione më të forta, kufij më të sigurt dhe një demokraci më rezistente.

Spajiq vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë Malit të Zi në proceset demokratike, forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.

Ai theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.

Në të njëjtën ceremoni, i ngarkuari me punë i SHBA-së në Mal të Zi, Michael Kiz, tha se dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta si liria, sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor.

Ai rikujtoi mbështetjen historike të SHBA-së për Malin e Zi dhe theksoi se këtë vit shënohet 20-vjetori i Programit të Partneritetit mes shtetit amerikan të Maine dhe Malit të Zi, i cili ka forcuar bashkëpunimin ushtarak dhe civil mes dy vendeve.

Kiz bëri të ditur se SHBA-ja dhe Mali i Zi po punojnë për finalizimin e një marrëveshjeje të rëndësishme që do të zgjerojë bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, energjisë, ekonomisë digjitale dhe sigurisë.

Ai theksoi se Uashingtoni e sheh Malin e Zi si një aleat të besueshëm dhe një shtyllë të stabilitetit rajonal, duke shprehur bindjen se partneriteti mes dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në vitet e ardhshme.

SHARE