ORBAN: MALI I ZI MUND TË JETË QË NGA NESËR NË BE

Mali i Zi është i gatshëm për anëtarësim në BE dhe që nga nesër do të mundte të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, sikurse për këtë të kishte vullnet politik, deklaroi Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.

“Me përgjegjësi mund të them që Mali i Zi në thelb është i gatshëm për anëtarësim në BE, nuk pranoj mendimin se përpara anëtarësimit të Malit të Zi, ekzistojnë pengesa politike apo ekonomike, Mali i Zi mund të pranohet në BE nesër ose pasnesër, vetëm që të ekzistojnë vullneti politik “, tha Orban pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq në Podgoricë.

Orban shtoi se Bashkimit Evropian i nevoitet Mali i Zi. Ndërkohë Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të lartë, të karakterizuar nga aleanca në NATO, bashkëpunimi kur është fjala për BE-në dhe në një lidhje të vazhdueshme, kur bëhet fjalë për potencialet në bashkëpunimin ekonomik.

Ai përshëndeti interesin e Hungarisë për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

“Investitorët hungarezë janë të mirëpritur, Mali i Zi është çdo ditë më tërheqës për kompanitë nga e gjithë bota dhe ne jemi veçanërisht të kënaqur që partnerët tanë, si Hungaria, ta njohin dhe ta përdorin atë në interes të përbashkët”, tha Markoviq.

Ndërsa, duke folur për krizën e emigrantëve, Markoviq tha se Mali i Zi është i gatshëm të mbrojë kufirin nga çdo fluks më i madh i emigrantëve, duke thënë se nuk ka arsye për të vënë tela me gjemba në kufirin me Shqipërinë.

Kryeministri malazez rikujtoi se Mali i Zi, në vitin 2015, e ka bërë planin se si të përgjigjet ndaj krizës së emigrantëve.

Në atë kohë, siç thekson ai i kanë shpëtuar rrezikut dhe atë plan e kanë kategorizua kohët e fundit, kur sipas tij emigrimi ilegal i emigrantëve të paligjshëm hynin gjithnjë e më shpesh përmes Shqipërisë.

“Kjo nuk është ende një situatë që na shqetëson, por të gjitha ekipet e përcaktuara në këtë plan janë të gatshme për hapjen eventuale të rrugës përmes Shqipërisë drejt Malit të Zi, për mbrojtjen e Malit të Zi dhe kufijve të saj”, deklaroi  kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Ai tha gjithashtu se Qeveria e Malit të Zi, i ishte mirënjohëse Hungarisë për dhurimin e telave me spirale për të mbuluar 25 kilometra të kufirit shtetëror.

“Në varësi të situatës në terren dhe rrezikut për Malin e Zi, mund të ndodhë që ne do ta përdorim këtë ndihmë, por tani nuk ka arsye për këtë”, tha Markoviq.

SHARE