UKRAINA SHËNON PËRVJETORIN E LUFTËS

Lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të dytë të premten, derisa presidenti Volodymyr Zelensky u zotua se Ukraina “do t’i mposhtë të gjithë”, dhe se liderët e vendeve aleate do të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe shteteve tjera që mbështesin luftën e saj.

Përmes një video-mesazhi, Zelensky tha: “Ne jemi të fortë. Jemi gati për çdo gjë. Do t’i mposhtim të gjithë”.

“Kështu filloi më 24 shkurt 2022”, tha ai, duke u ulur pas një tavoline dhe duke kujtuar momentin kur iu drejtua ukrainasve një vit më parë.

“Dita më e gjatë e jetës sonë. Dita më e vështirë në historinë tonë moderne. Ne u zgjuam herët dhe nuk fjetëm më që atëherë”.

Zelensky e përshkroi vitin 2022 si një vit qëndrueshmërie, guximi, dhimbjeje dhe uniteti.

“Përfundimi i saj kryesor është se ne kemi mbijetuar. Ne nuk u mundëm. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të fituar këtë vit”, tha ai.

Ukrainasit organizuan mbledhi përkujtimore, ndezje qirinjsh dhe aktivitete tjera për dhjetëra mijëra qytetarë të tyre që humbën jetën – një numër që rritet gjatë gjithë kohës teksa luftimet janë intensifikuar, në veçanti në lindje të vendit.

Në përvjetorin të parë të nisjes së pushtimit më 24 shkurt, ushtria ukrainase tha se pret që atë ditë Rusia të kryejë sulme ajrore. Alarmet për sulme ajrore nuk u dëgjuan gjatë natës në kryeqytetin Kiev.

Megjithatë, qeveria rekomandoi që shkollat të zhvendosin mësimin në internet dhe punonjësve të zyrave iu kërkua të punojnë nga shtëpia. Homazhet për qëndrueshmërinë e Ukrainës erdhën edhe nga vendet evropiane. Kulla Eifel në Paris ishte ndër monumentet e ndriçuara me ngjyrat e Ukrainës – të verdhë dhe kaltër.

Një vit më pas, shifrat e viktimave janë të mëdha nga të dyja palët, me vlerësimet perëndimore që flasin për qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur.

SHARE