QULLAFIQ: LIGJI I RI PËR AJRIN SYNON ULJEN E NDOTJES DHE MBROJTJEN E SHËNDETIT TË QYTETARËVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, deklaroi se qëllimi i Ligjit të ri për ajrin është ulja e përqendrimit të substancave të dëmshme në ajër që ndikojnë negativisht në shëndetin e njerëzve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Sipas tij, ligji sjell mekanizma më modernë për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, duke përfshirë modelimin e ndotjes për vlerësime më të sakta, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit, plane veprimi për periudhat me ndotje të lartë, si dhe sisteme digjitale për monitorim dhe raportim në kohë reale.

Një nga risitë kryesore të ligjit është përcaktimi më i qartë i përgjegjësive të institucioneve. Ministria do të hartojë politikat dhe rregulloret, institucionet profesionale do të sigurojnë monitorimin dhe të dhënat, pushteti lokal do të zbatojë masat, ndërsa inspektoratet do të mbikëqyrin respektimin e detyrimeve.

Qullafiq theksoi se ligji nuk është thjesht një dokument formal, por një kornizë e re sistemore që synon uljen e ndotjes së ajrit, reagim më të shpejtë të institucioneve, kontroll më të rreptë ndaj ndotësve dhe informim më të mirë të qytetarëve për cilësinë e ajrit.

SHARE