ANËTARËT E KOMISIONIT TË ARBITRAZHIT: BETEJA PËR ZGJERIMIN E TERRITORIT TË TUZIT VAZHDON

Screenshot

Foto: Nik Gjeloshaj/Facebook/

Pas deklaratës së djeshme lidhur me përcaktimin e kufijve administrativë, anëtarët e Komisionit të Arbitrazhit të Komunës së Tuzit kanë bërë publike kërkesat e tyre për zgjerimin e territorit administrativ, duke kërkuar përfshirjen e një pjese të Rakiqit, Kakarriqit, Luharit, Ledinës, Rabrajve, Liqenit të Rikavecit dhe pjesën e Koritës që aktualisht i përket Kuçit.  

Sipas deklaratës, kërkesat janë përgatitur me kujdes, duke synuar ruajtjen e strukturës demografike të Malësisë dhe interesit afatgjatë të saj.

“Beteja jonë për këto kërkesa nuk ka përfunduar. Do të vazhdojmë me mjete institucionale dhe ligjore për kërkesat që i konsiderojmë të drejta për Malësinë dhe Komunën e Tuzit”, thuhet në reagim.

Në deklaratën e anëtarëve të Komisionit, theksohet gjithashtu se kanë nisur tendenca dhe përpjekje për tkurrjen e territorit të Komunës së Tuzit, të konfirmuar me ligj. Për këtë arsye, autoritetet komunale kanë njoftuar se i janë drejtuar Ambasadës së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, duke kërkuar përfshirjen dhe ndihmën e tyre në zgjidhjen e kësaj çështjeje në përputhje me ligjin.

Duke komentuar kritikat dhe akuzat publike, anëtarët e Komisionit të Arbritrazhit thanë se nuk dëshirojnë të merren me fyerje, shpifje dhe manipulime, duke shtuar se faktet do të dëshmojnë të vërtetën.

Ata rikujtuan edhe debatin e mëhershëm rreth deponisë, duke vlerësuar se pretendimet për shitjen e saj rezultuan të pavërteta, pasi ajo mbeti në Malësi.

Në fund, anëtarët e Komisionit, i cili përbëhet nga Nik Gjeloshaj, Emin Haxhi dhe Nermin Alibashiq, theksuan se do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e interesave të Komunës së Tuzit, si dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje që, sipas tyre, synon ndryshimin e strukturës demografike të Malësisë.

SHARE