Ambasadorë, politikanë dhe qytetarë shqiptarë dhe ukrainas u bënë bashkë në një marsh solidariteti me Ukrainën në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Manifestimi “Tirana Stands with Ukraine”u mbajt në ditën që shënon përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës. Marshi nisi nga rruga “Ukraina e Lirë”, ku ka selinë Ambasada e Ukrainës, për të vazhduar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u përmbyll para Bashkisë së Tiranës.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, kërkoi të mbahej një minutë heshtje për viktimat e shkaktuara nga sulmet e Rusisë dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë për solidaritetin dhe ndihmën që i kanë dhënë Ukrainës.
Në sheshet e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, janë vendosur flamuj të Ukrainës në shenjë mbështetjeje për këtë shtet në prag të përvjetorit të parë që nga fillimi i luftës atje.
Në të dyja anët e shesheve, flamuj shtetërorë ukrainas kaltër e verdhë të gjatë rreth 3 metra u vendosën mëngjesin e sotëm në prag të 24 shkurtit, ditës kur zyrtarisht filloi lufta në Ukrainë.
Po ashtu, seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur sot me një minutë heshtje për të gjitha viktimat e shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës, në njëvjetorin e luftës.
Maqedonia e Veriut që në ditët e para të agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, i ka dhënë mbështetje të plotë sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij shteti. Shteti maqedonas, po ashtu, ka mbështetur të gjitha rezolutat dhe sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, ndërsa ka kontribuar edhe me pajisje ushtarake dhe ndihma tjera të nevojshme për popullatën e rrezikuar ukrainase.
Veç kësaj, Maqedonia e Veriut, që në ditët e para të luftës shprehu gatishmërinë për të strehuar të gjithë ata shtetas ukrainas që do të arrinin në territorin e saj.