Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi miratoi me 70 vota pro draft-amendamentet 17–21 të Kushtetutës, të cilat kanë të bëjnë me Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor dhe Bankën Qendrore të Malit të Zi.
Kundër votuan dy deputetë të Partisë Popullore Demokratike.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, njoftoi se, sipas marrëveshjes politike, pas përfundimit të debatit publik dhe marrjes së opinionit të Komisionit të Venecias, deputetët do të votojnë tekstin përfundimtar të amendamenteve deri më 4 shtator.
Kryetarja e Komisionit Kushtetues, Jellena Bozhoviq, sqaroi se pas miratimit të draftit do të zhvillohet një debat publik prej të paktën 30 ditësh, pas të cilit do të përgatitet versioni përfundimtar i amendamenteve për miratim në Kuvend.
Gjatë debatit parlamentar, deputetët theksuan se ndryshimet kushtetuese janë të rëndësishme për përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht për mbylljen e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore.
Amendamentet parashikojnë ndryshime në mënyrën e zgjedhjes dhe përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, si dhe përcaktojnë se Banka Qendrore e Malit të Zi është institucion i pavarur në ushtrimin e kompetencave të saj, duke raportuar për punën e saj para Kuvendit. Gjatë diskutimit pati edhe qëndrime të ndryshme politike.
Përfaqësues të opozitës kërkuan garanci shtesë për funksionimin e sistemit prokurorial, ndërsa deputetë të shumicës parlamentare theksuan se procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të vazhdojë edhe me çështje të tjera, përfshirë temat identitare.
Nga ana tjetër, nga Partia Popullore Demokratike përsëriten kërkesën për ndryshimin e statusit të gjuhës serbe në Kushtetutë. Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e reformave kyçe që Mali i Zi duhet të përmbushë në kuadër të procesit të integrimit evropian.










