SHQIPËRIA NË PRAG TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE ME SISTEM TË RI ZGJEDHOR DHE NËN KUSHTET E PANDEMISË

Fushata zgjedhore në Shqipëri zyrtarisht mbyllet sot dhe votuesit më 25 prill do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, në zgjedhjet e dhjeta parlamentare në vend që pas përmbysjes së regjimit komunist. Që nga viti 1991 pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri e deri tani janë mbajtur 9 zgjedhje të përgjithshme parlamentare, dy prej tyre zgjedhje të parakohshme, ndërkohë deputetët janë zgjedhur duke u aplikuar disa sisteme zgjedhore të ndryshme në periudhën 1991-2017. Në Shqipëri janë zbatuar sistemet maxhoritar, proporcional rajonal me lista të mbyllura dhe sistemi miks (maxhoritar me korrektim proporcional kombëtar). Risia e këtyre zgjedhjeve është fushata dhe procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë dhe konkurrimi i disa partive të reja. Ndërkohë, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa 107.024 të rinj do të votojnë për herë të parë.

SHARE