Vendimi përfundimtar për rikonstrukcionin e Qeverisë, i cili është paraparë në marrëveshjen e koalicionit, i takon kryeministrit, tha lideri i Forumit Shqiptar dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj në një prononcim për Portalin e RTMZ.
Ai pret që pas gjysmë viti të punës së Qeverisë, të analizohen efektet dhe të shihet nëse nevojiten ndryshime.
Ai thekson se kush nuk është i gatshëm të respektojë dhe të punojë në bazë të parimeve të marrëveshjes, nuk do të jetë pjesë e Qeverisë.
“Marrëveshja për formimin e Qeverisë është e qartë. Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes janë parimet dhe secili parim nga marrëveshja ka rëndësinë e vet. Besoj se kjo është vendimtare dhe se është e nevojshme që të gjithë t’i përmbahemi në vazhdimësi asaj që kemi nënshkruar. Sa i përket Forumit Shqiptar, sigurisht që do të jetë kështu”, tha Gjeloshaj.
Ai shton se rikonstrukcioni është i paraparë në marrëveshje dhe është i përcaktuar qartë, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë kryeministri Millojko Spajiq.
Ai rikujton se shpejtësia e rikonstrukcionin të qeverisë varet nga zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar.
“Detyrimi për rikonstrukcionin është në fund të vitit, siç thuhet në marrëveshje dhe nëse ka propozim për më herët, do të analizojmë rrethanat e reja. Presim që pas gjashtë muajve të punës së Qeverisë me kryeministrin, të analizojmë efektet e të gjithëve dhe të shohim nëse duhen ndryshime”, theksoi ai.
I pyetur për mbështetjen e koalicionit „Për të Ardhmen e Malit të Zi“ për Partinë Boshnjake për të hyrë në qeveri, Gjeloshaj vëren se PB nuk hyri në qeveri për shkak të koalicionit „Për të Ardhmen e Malit të Zi“ dhe tani shohim se koalicioni „Për të Ardhmen e Malit të Zi“ mbështet hyrjen e PB.
“Në anën tjetër nuk e kemi dëgjuar qëndrimin e PB për këtë çështje. Unë jam për të biseduar për të pasur mbështetjen më të gjerë të mundshme sociale në rrugëtimin tonë evropian. Trekëndëshi i ruajtjes së rrugës euroatlantike të Malit të Zi dhe garantues i zbatimit të parimeve nga marrëveshja janë Lëvizja „Evropa Tani“, Demokratët dhe Forumi Shqiptar. Kushdo që nuk është i gatshëm të respektojë dhe të punojë në bazë të parimeve të marrëveshjes nuk do të jetë pjesë e qeverisë”, tha Gjeloshaj.
Pozicioni i Malit të Zi Demokratik, i cili kundërshton hyrjen e PB në Qeveri, konsiderohet legjitim.
“Pozicioni legjitim i kolegëve, ata janë partnerët tanë dhe nuk dua ta komentoj atë pjesë”, ka përfunduar Gjeloshaj.