STOLTENBERG: BALLKANI PERËNDIMOR ME RËNDËSI STRATEGJIKE PËR NATO-n, POR EKZISTOJNË ARSYE PËR SHQETËSIM

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n, por se ekzistojnë edhe arsye për shqetësim.  

Stoltenberg në fjalën e tij theksoi se sapo mbaruan një “takim interesant” ku kanë adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë me të cilat “të gjithë ne përballemi në Ballkanin Perëndimor”.

Ai tha se në takim diskutuan çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

“Ky rajon është me rëndësi strategjike për NATO-n, por ekzistojnë arsye për shqetësim. Ne shohim kërcënime secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situatë të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe normalizim të ngecur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në krye të kësaj, shtetet autoritare si Rusia kërkojnë të minojnë demokracitë tona me kërcënime kibernetike dhe hibride”, theksoi Stoltenberg.

Më tej, shefi i NATO-s tha se në turneun e tij në rajon në çdo ndalesë e ka bërë të qartë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët duke zgjedhur dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit.

“Dhënia fund e retorikave secesioniste do të nxisë stabilitet dhe do të mundësojë reforma në Bosnjë e Hercegovinë. Ri-angazhimi në dialogun e lehtësuar të BE-së është thelbësore për rrugën e Beogradit dhe Prishtinës drejt paqes dhe stabilitetit. Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumë serbe në Kosovë mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara. Është koha të tejkalojmë konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë kohë”, deklaroi Stoltenberg.

SHARE