KRYEMINISTRI RAMA, VIZITË ZYRTARE NË JAPONI: SHUMË SHPEJT MUND TË HIQEN VIZAT

Ashtu si për shtetasit japonezë që udhëtojnë drejt vendit tonë pa viza, edhe për shqiptaret shumë shpejt do të bëhet e mundur që të mos kenë me nevojë për të patur vizë për të shkuar në Japoni.

Kjo ishte një nga kërkesat konkrete që kryeministri Rama që i ka bërë homologut të tij Fumio Kishida gjatë takimit që patën në Tokio.

“Duke shpresuar se së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të mund të udhëtojnë pa viza në Japoni siç mund të bëjnë edhe japonezët në Shqipëri”, tha Rama.

Vetë Japonia ka vendosur të ketë një rol të shtuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këtë do ta konkretizojë duke vendosur një ambasador të posaçëm përgjegjës për 6 vendet e këtij rajoni.

Vendimin, kryeministri Fumio Kishida, e bëri publik në krah të Kryeministrit Rama gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp, e për të cilin kreun i qeverisë shqiptare thotë se është më se i mirëpritur.

“Është një lajm i mrekullueshëm të dëgjosh që qeveria juaj po angazhohet të vendosë një ambasador për Ballkanin Perëndimor sepse, siç unë përmenda gjithashtu gjatë bisedimeve tona, është me rëndësi vendimtare që Japonia të jetë më shumë e pranishme në rajonin tonë”, u shpreh Rama.

Në daljen përpara mediave të dy kryeministrat që aktualisht janë të përfaqësuar si dy vende me mandat të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit komentojnë dhe i cilësojnë si të papranueshme kërcënimet e presidentit rus për përdorimin e armëve bërthamore.

“Si vendi i vetëm që ka vuajtur shkatërrimin e bombardimeve atomike gjatë luftës, Japonia kurrë nuk mund të pranojë kërcënimet ruse për armët bërthamore e jo më përdorimin e tyre”, tha Kishida.

Dy kryeministrat folën padyshim dhe për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe. Që të dy mendojnë se duhet të intesifikohen, kryesisht në bashkëpunimin ekonomik. Japonia premton më shumë investime për rritje të importit dhe kësaj fryme mendojnë se do t’i shërbejë dhe ngritja e një Dhome të Përbashkët të Tregtisë Shqipëri-Japoni.

Rama dhe ministrat që e shoqërojnë në Tokio, por dhe disa sipërmarrës shqiptar të produkteve Made in Albania morën pjesë dhe në një takim të Dhomës së Tregtisë së Japonisë ku prezantuan vizionin Shqipëria 2030 si edhe sektorët me interes për rritjen e volumit tregtar dhe investimet japoneze në Shqipëri.

SHARE