POPA: PËR TË MBYLLUR KAPITUJT DUHET NJË KONSENSUS ABSOLUT POLITIK MBI PRIORITETET

Mali i Zi, si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), ka potencial të madh për të filluar mbylljen e kapitujve, por kjo kërkon një konsensus absolut politik se cilat janë prioritetet, tha ambasadorja e BE-së në Mal të Zi, Oana Kristina Popa. 

“Në takimet e para që unë dhe anëtarët e tjerë të Delegacionit të BE-së i kemi pasur me përfaqësues të Qeverisë, kemi marrë garanci se procesi do të fillojë pa asnjë vonesë”, tha Popa. 

Ajo shtoi se është e rëndësishme të kuptohet se kjo është një përpjekje e përbashkët e gjithë vendit dhe e të gjitha institucioneve. 

“Presim që të jetë kështu, që Qeveria dhe Kuvendi të punojnë bashkë, të miratohen aktet e nevojshme ligjore dhe të ketë progres konkret në rrugën drejt BE-së”, tha Popa. 

Sipas saj, krijimi i një konsensusi për veprimet prioritare është diçka që i ka munguar viteve të fundit.

Kjo, siç shtoi Popa, është konfirmuar edhe në raportin e sivjetshëm të Komisionit Evropian (KE). 

“Ne presim që të ketë progres dhe tashmë ka sinjale inkurajuese në këtë drejtim, ndaj shpresojmë që deri në fund të këtij viti të ketë progres konkret”, tha Popa.

SHARE