Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian, tha senatorja amerikane Jeanne Shaheen, gjatë një konference për media në Prishtinë. Shaheen është pjesë e një delegacioni prej tre senatorësh amerikanë, që po vizitojnë Kosovën. Ajo së bashku me senatorët Thom Tillis dhe Chris Murphy para vizitës në Kosovë kanë qëndruar në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Shaheen tha se me këtë vizitë po tregohet mbështetja dypartiake e Senatit amerikan. “Mezi presim të mbështesim aspiratat tuaja për të qenë pjesë e NATO-s. Senatori Tillis dhe unë jemi bashkëkryesues të grupit vëzhgues për NATO dhe ne punojmë fuqishëm për të mbështetur përpjekjet në Kongresin amerikan të asaj që po bën NATO-ja dhe për të mbështetur aspiratat e shteteve si Kosova që janë të interesuara për t’iu bashkuar NATO-s”, tha senatorja Shaheen. “Gjithashtu mbështesim aspiratat tuaja të vazhdueshme për të lëvizur drejt BE-së dhe për partneritetin tuaj me Perëndimin”, shtoi ajo.