Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Një sistem arbitrazhi i besueshëm dhe efikas nuk është vetëm çështje drejtësie, por edhe stabiliteti ekonomik, tha zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Forcimi i sigurisë juridike përmes arbitrazhit mund të tërheqë investime të reja, të zvogëlojë barrën e gjykatave dhe të krijojë një mjedis të besueshëm biznesi, u konkludua në hapjen e Konferencës Rajonale për Arbitrazh në Podgoricë.
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike Nik Gjeloshaj theksoi se forcimi i sistemit të arbitrazhit është vendimtar për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Mali i Zi dëshiron të jetë një destinacion i sigurt për investitorët. Kjo do të thotë parashikueshmëri ligjore, mekanizma efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe transparencë në sistemin gjyqësor. Arbitrazhi i fortë u jep investitorëve sigurinë se të drejtat e tyre do të mbrohen, gjë që çon në investime më të mëdha dhe një ekonomi më të fortë”, tha ai.
Ministri i Drejtësisë Bojan Bozhoviq theksoi se forcimi i kornizës së arbitrazhit paraqet një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian vendos fokus të veçantë në metodat alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve si pjesë e reformës së shtetit të së drejtës. Mali i Zi po shkon drejt shndërrimit në një qendër rajonale për arbitrazh. Përmirësimi i arbitrazhit nënkupton reduktimin e barrës mbi gjykatat, zgjidhjen më të shpejtë të mosmarrëveshjeve tregtare dhe forcimin e besimit të investitorëve. Kjo konferencë është një mundësi për të njohur reformat kryesore që do të na afrojnë me standardet e BE-së”, tha Bozhoviq.