KURTI: DUHET T’I PËRMBAHEMI PROPOZIMIT EVROPIAN, E JO INTERESIT TË NJËRËS PALË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga takimi i 27 shkurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pret që të ketë diskutime mbi bazën e propozimit evropian, por tha se për gjërat e tjera nuk mund të flas tani “edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësuesit e dialogut”. “Pas ditës së hënë do të dimë më shumë se çka e ku”, tha ai pas një ngjarjeje në Prishtinë. I pyetur nëse në takimin e së hënës do të ketë diskutime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se beson se duhet “t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë, e jo interesit të njërës palë”. Bashkimi Evropian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në pikën 10 të karakteristikave të propozimit evropian, të cilat Kurti i lexoi në Kuvendin e Kosovës më 13 shkurt, thuhet se “të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët”.

SHARE