Foto: Reuters
Raportuesi për Malin e Zi në Parlamentin Evropian, Marjan Sharec, thotë se të gjithë aktorët politikë duhet të bashkohen rreth një qëllimi – anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
„Mali i Zi i ka vendosur vetes një qëllim ambicioz – anëtarësimin në BE deri në vitin 2028, dhe tani është e rëndësishme që të punohet urgjentisht për këtë çështje,“ thotë raportuesi Sharec.
Ai thotë gjithashtu se platforma „Barometër 26“ synohet si një iniciativë që duhet të bashkojë të gjitha grupet politike rreth të njëjtës detyrë.
“Për të arritur një qëllim kaq madhështor, së pari pavarësinë, së dyti anëtarësimin në NATO, tani kemi përballë të tretin, e për të arritur këtë nevojitet unitet, ndaj e shoh këtë dokument si një sinjal pozitiv dhe shpresoj se është i sinqertë dhe se të gjithë të përfshirët në politikë do ta pranojnë si qëllim të përbashkët,“ tha raportuesi i Malit të Zi në PE.
Edhe për kryetarin e Komisionit Parlamentar me Malin e Zi, Thomas Weiss, kjo nismë paraqet një mundësi për të përshpejtuar integrimin.
“Iniciativa është e mirëpritur dhe mund të jetë një mekanizëm shumë i mirë për të siguruar që legjislacioni të miratohet në kohën e duhur me mbështetje të gjerë parlamentare. Kjo është e dobishme për të siguruar rrugën e Malit të Zi për t’u bashkuar me BE deri më 2028,” theksoi Weiss.
Çdo kthesë në tema të tjera, siç thonë Sharec dhe Weiss, mund të pengojë realizimin e asaj që është e planifikuar.
“Shpresoj që opozita do të marrë pjesë, sepse opozita dhe shoqëria civile duhet të kenë ende aftësinë për të mbikëqyrur në mënyrë që legjislacioni të jetë i përshtatshëm dhe që procesi të mos vonohet,” tha Weiss.
“Deri më tani gjërat kanë shkuar mirë, opozita ka qenë konstruktive, dhe tani në fazat e ardhshme duhet ta mbajmë këtë, kështu që të gjitha çështjet që përçajnë shoqërinë dhe nuk kontribuojnë në unitet duhet të vihen nëplan të dytë,“ thekson Sharec.
Ata konkludojnë se në Parlamentin Evropian janë të mirëseardhura të gjitha iniciativat që kontribuojnë në unitet në grumbullimin e vlerave evropiane.