Lista Studentore paralajmëron se do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit. Prishtina, ndërkohë, thotë se normalizimi i marrëdhënieve fillon me pranimin e realitetit.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për Radion Evropa e Lirë (REL).
Lista Studentore fitoi zgjedhjet në Serbi, duke mundur Partinë Përparimtare Serbe, e cila kishte qenë në pushtet për 14 vjet.
Në pjesën e programit kushtuar interesave kombëtare, Lista Studentore thotë se do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do ta lejojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Me pranimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në vitin 2023, Serbia u zotua se nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Palët u pajtuan edhe për planin e zbatimit të marrëveshjes.
Marrëveshja parasheh që Kosova dhe Serbia të respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe t’i njohin simbolet kombëtare të njëra-tjetrës.
Lista Studentore paralajmëron gjithashtu se do t’i ndjekë penalisht të gjithë “përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për të gjitha veprat e mundshme penale që lidhen me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”.









