MIRATOHEN PËRSËRI NDRYSHIMET NË LIGJIN PËR LIRINË E FESË

Parlamenti i Malit të Zi, me votat e shumicës parlamentare, miratoi, në seancat e jashtëzakonshme, shtatë ligje, të cilat Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq i ktheu për rishqyrtim. për miratimin e këtyre ligjeve votuan 41 deputetë, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në seancë. Deputetët miratuan Ndryshimet në Ligjin për Lirinë e Fesë ose Besimit dhe Statusin Ligjor të Komuniteteve Fetare, mbi Institucionet e Kredisë, Rehabilitimin e Institucioneve të Kredisë dhe Fiskalizimin në Tregtinë e Produkteve dhe Shërbimeve. Këto katër ligje u propozuan më parë nga Qeveria e Malit të Zi. Deputetët ri-miratuan gjithashtu ndryshimet në Ligjin mbi Punën, Nëpunësit Civilë dhe Punonjësit dhe Kujdesin Shëndetësor, të cilat u iniciuan nga koalicioni qeverisës. Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, pas seancës së sotme të Kuvendit, tha se nuk beson në mundësinë që Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq të mos nënshkruaj ligjet e miratuara nga Kuvendi. Ai u tha gazetarëve në Parlament se është teorikisht e mundur që Gjukanoviq të mos nënshkruajë ligjet, por gjithashtu se ai është një politikan me përvojë dhe se kjo nuk do të ndodhë.

SHARE