SULM MASIV KIBERNETIK NDAJ KOMISIONIT EVROPIAN, DYSHIME PËR RRJEDHJEN E TË DHËNAVE PERSONALE

Një sulm masiv kibernetik ka goditur sistemet e Komisionit Evropian, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve digjitale dhe ngritur shqetësime për komprometimin e një sasie të konsiderueshme të të dhënave personale.

Sipas raportimit të “Politico”, sulmi ka zgjatur më shumë se 10 ditë dhe ka prekur disa sisteme të brendshme të institucionit, përfshirë platformat që përdoren nga punonjësit për menaxhimin e pagave, pushimeve dhe rimbursimeve mjekësore.

Problemet kanë prekur kryesisht platformën Sysper, e cila menaxhon burimet njerëzore, pagat, kërkesat për pushime dhe oraret e punës, si dhe sistemin MyPMO, që përdoret për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.

Edhe pse të dy sistemet u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi një tjetër ndërprerje të përkohshme të mërkurën.

Një zyrtar i BE-së bëri të ditur se Komisioni Evropian beson se ka arritur të frenojë pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmit dhe ndikimi i mundshëm në të dhënat personale ende nuk janë përcaktuar.

Ndërkohë, sipas raportimit, shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të BE-së zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerët ndërkombëtarë kishin përdorur ARTEX, një mjet të inteligjencës artificiale i disponueshëm publikisht, i projektuar për identifikimin e dobësive në sistemet informatike.

Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht për të kufizuar rrezikun dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Rainier, konfirmoi se institucionet kanë ndërmarrë masa pas zbulimit të sulmit kibernetik, ndërsa rikthimi i plotë i shërbimeve po bëhet gradualisht.

SHARE