Rreth 20 krerë shtetesh dhe qeverish, kryesisht nga Evropa, janë mbledhur në Berlin në kuadër të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, për të diskutuar të ardhmen e Ukrainës, mbështetjen ndaj saj dhe mundësinë që vendet evropiane të përfshihen drejtpërdrejt në negociatat për përfundimin e luftës me Rusinë.
Ky koalicion përbëhet nga 36 shtete që kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus që nga shkurti i vitit 2022.
Përveç ndihmës së menjëhershme, grupi po shqyrton edhe mundësinë e monitorimit të një armëpushimi dhe ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Takimi në Berlin zhvillohet në një moment kur po shtohen diskutimet për negociatat e ardhshme.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Gjermania do të ketë një vend në bisedimet konkrete për paqe, ndërsa po shqyrtohet mundësia që Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Polonia dhe Italia të përfaqësojnë qëndrimet evropiane.
Megjithatë, ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kush do të flasë në emër të Evropës. Ekspertët vlerësojnë se vendet evropiane duhet të hartojnë një propozim konkret për garancitë e sigurisë, përfshirë mundësinë e angazhimit të trupave dhe masat që do të siguronin respektimin e një armëpushimi.
Ndërkohë, në bisedimet e fundit në Abu Dhabi, Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje vetëm për shkëmbimin e të burgosurve, ndërsa priten takime të tjera për të diskutuar mundësitë e përfundimit të luftës.
Zyrtarët gjermanë kanë theksuar se paqja në Ukrainë mund të arrihet vetëm përmes një procesi gradual dhe se Evropa duhet të tregojë unitet, këmbëngulje dhe vendosmëri.
Sipas tyre, përparësi mbetet që Rusia të pranojë të ulet në tryezën e negociatave.
Në të njëjtën kohë, mbështetja për Ukrainën po përballet me sfida edhe brenda vetë vendeve evropiane.
Në Gjermani, sondazhet tregojnë një rënie të përkrahjes për dërgimin e armëve në Ukrainë. Sipas sondazhit të fundit ARD-DeutschlandTrend, të realizuar në shtator 2026, 52 për qind e qytetarëve gjermanë mbështesin vazhdimin e dërgesave të armëve, ndërsa 42 për qind i kundërshtojnë ato.
Ky është niveli më i lartë i kundërshtimit që nga fillimi i luftës. Takimi në Berlin shihet si një mundësi e rëndësishme për Evropën që të forcojë koordinimin dhe të sigurojë një rol më të madh në përcaktimin e së ardhmes së Ukrainës dhe kushteve për arritjen e paqes.









