KIEVI DHE ODESA GODITEN NGA SULMET AJRORE RUSE PËR TË DYTËN NATË ME RADHË

Një sulm masiv ajror goditi portin ukrainas të Odesës për të dytën natë me radhë. Një zyrtar ukrainas e përshkroi sulmin si “ferr”.

Autoritetet ukrainase, megjithatë, u zotuan se do të vazhdojnë punën për eksportin e drithërave. Sulmi ishte “shumë i fuqishëm, me të vërtetë masiv”, tha Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake të Odesës, përmes një mesazhi në kanalin e tij në Telegram të mërkurën.

“Ishte një natë si në ferr”, tha ai, duke shtuar se detajet për dëmet dhe viktimat do të jepen më vonë.

Pas shpërthimit në një urë që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, për të cilin Moska e fajësoi Ukrainën, Rusia u zotua për hakmarrje dhe nisi sulmet në Odesa. Odesa është porti më i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës.

Pak kohë pas incidentit të urës, Moska u tërhoq nga marrëveshja e drithërave përmes Detit të Zi që kishte lehtësuar një eksport të sigurt të grurit të Ukrainës për një vit.

Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin se ky veprim rrezikon të krijojë uri në mbarë botën.

“(Ata) po përpiqen ta trembin të gjithë botën, veçanërisht ata që duan të punojnë për korridorin e grurit… Ukrainën, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara”, tha Bratchuk.

Pjesa më e madhe e Ukrainës ushtonte nga alarmet për sulme ajrore, duke filluar menjëherë pas mesnatës së të mërkurës, me Rusinë që goditi edhe qytete tjera, duke përfshirë një sulm me dronë në Kiev.

“Ishte një natë e vështirë nga sulmet ajrore për të gjithë Ukrainën, veçanërisht në jug, në Odesa”, tha kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, Serhiy Popko, në Telegram.

Ai tha se Kievi u sulmua dhe sipas informacioneve paraprake, ka dëme dhe mund të ketë viktima. Rusia nuk i ka komentuar sulmet, por blogerët ushtarakë pro-Kremlinit thanë se Moska ka përdorur një kombinim të raketave dhe dronëve për të sulmuar Odesën dhe rajonet tjera.

SHARE