Ekipi nga departamenti i zhvillimit të pajisjeve inteligjente Nest është përgjegjës për zhvillimin e harduerit të ri dhe presim prezantimin në muajin maj.
Disa nga thashethemet rreth Google vitin e kaluar ishin për fokusin në rritje të kompanisë në harduer. Pra, përveç pasuesit të telefonave inteligjentë Pixel, këtë vit presim edhe telefonin e parë që paloset të Google, si dhe modelin e ri të tabletit.
Thashethemet që nisën të qarkullojnë në rrjet këtë javë tregojnë se ky gjigant i internetit është duke përgatitur një pajisje tjetër, siç është prezantuar tashmë nga kompani si Apple dhe Samsung.
Këto janë pajisje të vogla gjurmuese që vendosen në telefonin, portofolin, çantat ose çelësat tuaj në mënyrë që t’i gjeni nëse humbasin ose vidhen.
Në rast humbjeje, këto pajisje dërgojnë sinjale gjurmimi si dhe identifikues privatë që mund të zbulohen nga pajisje të tjera Apple ose Samsung (privatësia është e garantuar) në mënyrë që të mund të gjurmohet vendndodhja. Në rast se pajisja që dëshironi të gjeni është afër jush dhe nuk e gjeni, mjafton të aktivizoni sinjalin zanor për ta bërë më të lehtë gjetjen e saj.
Google tani thuhet se po zhvillon pajisjen e vet të vendndodhjes, të koduar “Grogu”, “Groguaudio” ose “GR10”. Prandaj, bëhet fjalë për emrat e koduar që, sapo të paraqitet pajisja, mund të ndryshojnë.
Sipas 9to5Google, një ekip nga departamenti i zhvillimit të pajisjeve inteligjente Nest është përgjegjës për zhvillimin e tij, megjithëse kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të shitet nën atë markë.
Ashtu si pajisjet e ngjashme, pajisjet e vendndodhjes së Google do të mbështesin teknologjitë UWB dhe Bluetooth me energji të ulët për dërgimin e sinjaleve.
Nëse Google prezanton Groga, mund të jetë gjatë majit, në konferencën e tyre vjetore I/O, ku ne mund të mësojmë disa informacione zyrtare rreth telefonave të rinj Pixel, duke përfshirë informacione rreth modelit Pixel Fold. /Telegrafi/